21
Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; atë e drejton ngado që do ai. Çdo rrugë e njeriut është e drejtë në sytë e tij, por Zoti i peshon zemrat. Të zbatosh drejtësinë dhe paanësinë është një gjë që i pëlqen Zotit më shumë se flijimi. Sytë krenarë dhe një zemër kryelartë, që janë llamba e të pabesëve, janë mëkat. Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri. Të përftosh thesare me një gjuhë gënjeshtare është një kotësi kalimtare e atij që kërkon vdekjen. Dhuna e të pabesëve merr tutje, sepse ata nuk pranojnë të zbatojnë drejtësinë. Rruga e njeriut të fajshëm është dredha-dredha, por njeriu i drejtë vepron ndershmërisht. Éshtë më mirë të banosh mbi qoshen e një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece. 10 Shpirti i të pabesit dëshiron të keqen; as shoku i tij nuk gjen mëshirë në sytë e tij. 11 Kur tallësi ndëshkohet, i thjeshti bëhet i urtë; por kur i urti mësohet ai fiton dije. 12 I drejti vëren me kujdes shtëpinë e të pabesit dhe përmbys të pabesët, sepse janë të këqij. 13 Kush mbyll veshin ndaj britmës së të varfërit, do të bërtasë edhe ai, por nuk do të ketë përgjigje. 14 Një dhuratë që bëhet fshehtas e fashit zemërimin dhe një dhuratë që jepet nën dorë qetëson zemërimin e fortë. 15 Të bësh atë që është e drejtë është një gëzim për të drejtin, por është një rrënim për ata që kryejnë paudhësi. 16 Njeriu që largohet nga rruga e maturisë ka për të banuar në kuvendin e të vdekurve. 17 Ai që i do qejfet do të jetë në varfëri, ai që e do verën dhe vajin nuk do të pasurohet. 18 I pabesi do t’i shërbejë si shpërblim të drejtit; dhe i paudhi në vend të njerëzve të drejtë. 19 Éshtë më mirë të banosh në një shkretëtirë se sa me një grua grindavece dhe ngacmuese. 20 Në shtëpinë e të urtit ka një thesar të çmuar dhe vaj, por njeriu budalla i bën të gjitha rrush e kumbulla. 21 Kush ndjek drejtësinë dhe dhembshurinë ka për të gjetur jetën, drejtësinë dhe lavdinë. 22 I urti ngjitet në qytetin e njerëzve të fortë dhe rrëzon forcën në të cilën kishte besim. 23 Kush ruan gojën dhe gjuhën e tij mbron jetën e tij nga fatkeqësitë. 24 Emri i krenarit pa cipë është: “tallës”; ai çdo gjë e bën me një mburrje të tepruar. 25 Dëshirat e përtacit e vrasin atë, sepse duart e tij nuk pranojnë të punojnë. 26 Ai dëshiron me zjarr tërë ditën, por i drejti dhuron duke mos refuzuar kurrë. 27 Flijimi i të pabesit është gjë e neveritshme, aq më tepër në rast se e ofron me qëllim të keq. 28 Dëshmitari i rremë do të vdesë, por njeriu që e dëgjon do të mund të flasë gjithnjë. 29 I pabesi e fortëson fytyrën e tij, por njeriu i drejtë e bën të qëndrueshme rrugën e tij. 30 Nuk ka as dituri, as zgjuarësi dhe as këshillë kundër Zotit. 31 Kali është gati për ditën e betejës, por fitorja i përket Zotit.